AlbanianSport.com 09/01/2018 17:55
ASNN – Do të rikonstruktohet “San Siro” apo do të ndërtohet stadium i ri? Milani dhe Interi arrijnë marrëveshjen e madhe. Dy klubet e fuqishme të Milanos, Interi dhe Milani, janë në prag gtë një marrëveshje të madhe midis tyre, që ka të bëjë me stadiumin “San Siro” dhe projektin për të patur një impiant të ri të përbashkët në qytetin e dytë më të madh të Italisë.
Mediat italiane njoftojnë se Milani dhe Interi kanë rënë dakord të ndërtojnë një stadium të ri në një pjesë anësore të qytetit, larg stadiumit aktual “San Siro”. Por gjithnjë sipas këtyre informacioneve, nuk përjashtohet mundësia që në marrëveshjen që pritet të arrihet të ketë një rikonstruksion të thelluar të impiantit aktual. Siç dihet, stadiumi “San Siro” është i përbashkët më të dy gjigandët e futbollit italian.
Por pronarët dhe investitorët e rinj të fuqishëm, dëshirojnë një impiant tjetër, ultramodern, që të shërbejë edhe si imazh për dy klubet e famshme të qytetit të Milanos. Mbetet të shihet se cili plan do të vihet në zbatim, por deri tani dominon ideja e ndërtimit të një impianti të ri të përbashkët, një stadium që mund të jetë më i madhi dhe më moderni në Evropë.
Fundja, kuqezinjtë dhe zikaltrit, pavarësisht rivalitetit midis tyre, kanë peshën e tyre në futbollin italian dhe atë evropian.