AlbanianSport.com 23.10.2014 09:20
ASNN – Sot Apolonia do të jetë përballë kampionëve të Shqipërisë në Kategorinë Superiore, Skënderbeut, teksa do të luajë në Korçë. Bardhejeshilët e Elidon Demirajt e dinë mirë se kampionët në fushën e tyre do të kërkojnë tre pikë. Në të tilla kushte ndeshja është e vështirë për Apoloninë, ndonëse fierakët janë të vendosur që në këtë fushë të huaj të marrin rezultatin pozitiv.
Një rezultat të tillë, deri më tani, me përjashtim të ndeshjes së Kupës së Shqipërisë në Durrës ndaj Teutës vendëse, teksa me barazimin 0-0 morën kualifikimin në raundin çerekfinal, fierakët nuk e kanë arritur këtë sezon. Skuadra fierake e ka përgatitur mirë këtë ndeshje jashtë fushe, edhe sepse ndërprerja e kampionatit e ka ndihmuar që të bëjë mirë gjithçka në stërvitje.
Sulmuesi lushnjar i Apolonisë, Mikel Canka, do të mungojë në këtë sfidë për shkak të dëmtimit. Por një lajm i mirë për fierakët vjen nga nigeriani Adenkule, i cili e ka kaluar dëmtimin dhe është stërvitur me grupin. Ka qenë një dëmtim i gjatë për nigerianin, që e ka mbajtur gjatë larg fushës së lojës.
Dhe për rrjedhojë ai mund të marrë disa minuta aktivizimi në këtë ndeshje në fushë të huaj, pavarësisht se do të mund ta nisë ndeshjen nga stoli. Adenkule sezonin e kaluar ka qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës në ngjitjen e saj në Kategorinë Superiore. Megjithatë fierakët e kanë thënë njëzëri: “Nuk i trembemi të ftohtit në Korçë, jemi për pikë atje…”