AlbanianSport.com 09/01/2018 17:00
ASNN – Trajneri i Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve, Alban Bushi, zbardhi listën e skuadrës së tij për dy ndeshjet miqësore ndaj Maltës, të cilat janë projektuar më 16 dhe 19 nëntor 2018, përkatësisht në Stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë dhe në Stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Interesant është fakti se 7 prej këtij grupi janë lojtarë të kampionatit shqiptar e konkretisht: Selmani dhe Mersinaj të Laçit, Dajsinani i Skënderbeut, Kallaku i Teutës si dhe Mala e Hebaj të Partizanit.
Nëse mund të quhet surpriza e vetme e listës së publikuar nga Bushi, ai është padyshim Eljon Sota, mbrojtësi i Apolonisë, i vetmi që vjen nga Kategoria e Parë e që nuk ka qenë më parë pjesë e asnjë përfaqësueseje moshash. Nga lojtarët që vijnë nga jashtë Shqipërisë, ka disa risi, sepse ka element të rinj, si portieri Hoxha i Vinterthur, mbrojtësi Xhemaili i Radnikut, mesfushori Fazliu i Rabotniçkit (Maqedoni), mesfushori Lleshi i Leganesh në kampionatin spanjoll e sulmuesi Loshi i NAC Breda në Holandë.
Kujtojmë që Kombëtarja e Nën-21 vjeçarëve që drejtohet nga Alban Bushi, në edicionin eliminatore të Evropianit të kësaj grupmoshe, zuri vendin e parafundit në grupin e dytë eliminator, duke lënë pas vetëm Estoninë, ndërsa e parakaluan me radhë Spanja, Irlanda, Islanda dhe Sllovakia. Pra një prezantim mjaft i dobët përkundrejt pritshmërive dhe pretendimeve që ishin mjaft të mëdha.