AlbanianSport.com 09/01/2018 07:55
ASNN – Një nga lojtarët e Kombëtares për të cilin trajneri Kristian Panuçi ka një qasje të vecantë, është Eros Grezda. Lojtari i ka lënë pas shqetësimet muskulore dhe ka nisur të luajë me skuadrën e Gllasgou Rejnxhës në kampionatin skocez, fillimisht nga pak minuta. Mbrëmë, Grezda luajti gati 10 minuta në Ligën e Evropës, në duelin që Rejnxhërs pati me Spartakun e Moskës.
Në fakt, skocezët po e fitonin ndeshjen në pjesën e parë me shifrat 3-2, por në pjesën e dytë rusët përmbysën gjithçka dhe e fituan takimin 4-3. Duke parë përmbysjen e shpejtë të shifrave, trajneri Stiven Xherard futi në fushë në minutën e 82-të sulmuesin e krahut të përfaqësueses së Shqipërisë Eros Grezdën. Pavarësisht përpjekjeve që bëri shqiptari, për Rejnxhërs nuk erdhi ndryshimi i shumëpritur.
Dhe skozecët u kthyen në Gllasgou pa asnjë pikë. Trepikëshin e mori Spartaku i Moskës. Vetë Grezda nuk la gjurmë në ato pak minuta, por pozitive për të është fakti se Xherardi po i jep besim ndeshje pas ndeshjeje dhe sulmuesi kuqezi po futet në zinxhirin funksionues të ekipit. Forma e tij e mirë mund të ndikojë pozitivisht në paraqitjen e Shqipërisë në dy ndeshjet e radhës ndaj Skocisë dhe Uellsit.