AlbanianSport.com 08/01/2018 10:40
ASNN – Nëpërmjet një njoftimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook”, Kamza njoftoi se ka shkarkuar trajnerin Klodian Duro, me arsyetimin se mungonin pikët e mjaftueshme që ekipi të mbijetonte në Superiore. Në fakt, në komunikatën e shpërndarë për mediat, falënderohet trajneri për punën dhe përkushtimin e tij të madh, si dhe dëshirën që shfaqi për të pasur një Kamzë model dhe me rezultate, por pikërisht mungesa e rezultateve është ajo që bie në sy dhe për këtë shkak Kamza kërkon një trajner të ri.
Në 9 javë që qëndroi në krye të Kamzës, Klodian Duro mori një fitore, dy barazime e gjashtë humbje, pra vetëm pesë pikë, shumë pak për një skuadër që synon të mbijetojë në Kategorinë Superiore. E gjendur në vend të parafundit me vetëm 8 pikë, Kamza me këto rezultate dhe me këtë pozicionim rrëzohet një kategori më poshtë, prandaj dhe lëvizja e klubit duket e përligjur. Ky është trajneri i dytë në 12 javë garë që shkarkohet nga Kamza. Para Duros, klubi nga periferia e kryeqytetit shkarkoi Bledar Devollin, i cili në tri ndeshje që drejtoi Kamzën pati tri pikë.
Kujtojmë këtu që Kamza është një prej klubeve që i ndryshon shumë shpesh trajnerët.
Njoftimi i plotë i FK.Kamzës:
“Klubi bën të ditur mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Klodian Duro. Duke e falënderuar trajnerin për kontributin e tij të palodhur, përkushtimin dhe gjithçka dha për skuadrën tonë, bëjmë të ditur se rrugët tona ndahen këtu. Mungesat e rezultateve na detyrojnë të bëjmë një zgjidhje tjetër në këtë moment. Trajnerit Klodian Duro, i urojmë suksese në karrierën e tij në vazhdimësi dhe e konsiderojmë gjithnjë pjesë të familjes sonë”.