AlbanianSport.com 07/01/2018 21:05
ASNN – Trajneri Kristian Panuçi shpalli sot listën e lojtarëve që do të jenë të grumbulluar për dy ndeshjet e nëntorit, njëra në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës më 17 nëntor ndaj Skocisë në kuadër të Ligës së Kombeve, e tjetra një miqësore që do të luhet në Stadiumin “Elbasan Arena” më 10 nëntor kundër Uellsit.
Në listën që ka publikuar Panuçi nuk ka surpriza të reja, janë po i njëjti kontigjent që luajti edhe në duelet e tetorit kundër Jordanisë dhe Izraelit. Nëse mund të quhet surprizë është vetëm ajo e rikthimit të mesfushorit me tipare mbrojtëse, Loret Sadiku, i cili kishte kërkuar nga FIFA që t’i hapte dritën jeshile për të kaluar tek Kosova.
Por FIFA e refuzoi kërkesën e tij, duke ia bërë të qartë se për të tani e tutje ka vetëm një kombëtare dhe ajo është Shqipëria. Surpriza tjetër, gjithmonë nëse mund të quhet e tillë, është përfshirja e Ardian Ismailit, mbrojtësit të Hajdukut të Splitit, i cili ishte pjesë e përfaqësueses së Kosovës.
Por me idenë se nuk po e përfillnin, vendosi të bëhet pjesë e Shqipërisë. Kjo lëvizje shkaktoi debate dhe një fërkim të ri në marrëdhëniet midis dy federatave shqiptare, që në këtë kohë kanë një rivalitet të shprehur për të marrë më të mirët në qarkullim në radhët e ekipeve përkatëse.
Më poshtë jepet lista e plotë e lojtarëve që ka ftuar trajneri Kristian Panuçi për dy duelet e radhës së kuqezinjve.