AlbanianSport.com 07/01/2018 12:25
ASNN – Borxhet e Tiranës të grumbulluara ndër vite e kanë ekspozuar klubin ndaj ndëshkimeve që vendosin UEFA e FIFA. Si të mos mjaftonin këto probleme, ku klubi bardheblu ka llogari të hapura me qeverinë evropiane dhe botërore të futbollit edhe në kontratat me lojtarë të ndryshëm ndër vite, si dhe një mungesë të theksuare “fair play” financiar si pasojë e mbytjes prej borxheve, klubi ka mundur të licencohet për të luajtur në Evopë një vit më parë nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Informacionet më të fundit që servirin mediat sportive dhe vetë organizmi i futbollit evropian, UEFA e ka penalizuar Federatën Shqiptare të Futbollit me 100 mijë euro e madje e ka paralajmëruar me 150 mijë euro të tjera gjobë nëse nuk e monitoron Tiranën në 3 vitet e ardhshme. Gjoba është vënë për shkelje të rregullores, duke licencuar një klub që ka probleme. Në fakt, UEFA kishte lajmëruar kohë më parë hapjen e hetimeve për këtë rast.
Dhe në fund, federata shqiptare pranoi se ka gabuar, duke iu përgjigjur edhe gjobës. Nuk është hera e parë që klubet shqiptare kanë problem me UEFA-n e FIFA-n si pasojë e menaxhimit të gabuar dhe borxheve të akumuluara. Në rastin e Tiranës, FSHF tentoi të bëjë “një sy qorr e një vesh shurdh”, por as klubi e as FSHF nuk ia “hodhën” dot UEFA-s, e cila kishte më parë informacionin se Tirana ka borxhe të rënda pa paguar ndaj palëve të treta.
Tani FSHF-së i duhet të paguajë gjobën dhe të jetë nën mbikëqyrje, së bashku me Tiranën, deri në vitin 2021 nga qeveria evropiane e futbollit.