AlbanianSport.com 06/01/2018 23:25
ASNN – Mbrëmjen e të martës u luajtën ndeshjet e katërta të fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve, ku vlen të theksohet se dueli më i rëndësishëm i mbrëmjes, ai në grupin B, midis Interit dhe Barcelonës që theu dhe rekordin e përfitimeve nga biletat në Itali me 5.8 milionë Euro, përfundoi në “paqe” 1-1, në një duel ku lojën dhe rastet i pati Barcelona, dukshëm superiore, por që zikaltrit ditën me zgjuarsi të mbrohen e në fund të “pickojnë” me Ikardin, i cili realizoi golin e barazimit në minutat e fundit, duke ia hequr nga duart fitoren Barcelonës që kishte shënuar më parë me Malkuitin.
Siqodoftë, ky barazim e ndihmon Barcelonën të kalojë grupin e ta shohë veten në raundin tjetër, pasi ka 10 pikë dhe një kalendar që nuk e vë në diskutim kualifikimin e saj 9edhe matematikisht). “Epopeja” e grupit B do të ndodhë midis Interit dhe Totenhemit, pasi kanë përplasje direkte midis tyre. Interi ka 7 pikë, kurse Totenhemi, i cili fitoi dje me përmbysje ndaj PSV Eindhovenit ka 4 pikë. Dueli kokë më kokë është vendimtar për anglezët, por edhe për italianët, të cilët do të gëzoheshin edhe me një pikë nga ky takim.
Kurse holandezët e PSV Eindhovenit me 1 pikë nuk kanë praktikisht asnjë shans për të shkuar më tej. Ndërkohë, në grupin A, Atletiko e Madridit siguroi një fitore të madhe ndaj Borusias së Dortmundit, duke marrë tri pikë nga fitorja 2-0 dhe të dyja skuadrat gjenden tashmë në kuotën e 9 pikëve, praktikisht të kualifikuara, pasi dy rivalët e tyre, Monako dhe Bryzhu, nuk kanë forcën për t’i rivalizuar. Ekipi i Principatës pësoi disfatë të thellë nga belgët e Klub Bruzhit, 0-4, duke dalë “jashtë loje”. Në grupin D, Porto është e kualifikuar më tej, sepse ka 10 pikë në renditje.
Mbrëmë portugezët mposhtën 4-1 Lokomotivën e Moskës, e cila mbeti në kuotën e zero pikëve. Ndeshja tjetër, dueli direkt mes Shalkes gjermane dhe Gallatasarait turk, u fitua nga gjermanët 2-0, të cilët shkojnë në tetë pikë dhe bëjnë një hap drejt kualifikimit, kurse Gallatasarai mbetet i treti me 4 pikë, por ka shanse teorike për kualifikim.
Grupi A
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Borusia Dortmund 9
- Atletiko Madrid 9
- Bryzh 4
- Monako 1
Grupi B
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Barcelona 10
- Inter 7
- Totenhem 4
- PSV Eindhoven 1
Grupi C
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Liverpuli 6
- Napoli 6
- Paris SG 5
- Crvena Zvezda 4
Grupi D
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Porto 10
- Shalke 04 8
- Gallatasaraj 4
- Lokomotiva Moskë 0