AlbanianSport.com 06/01/2018 12:50
ASNN – Dje një nga futbollistët më të mirë të planetit, sot Ronaldinjo ka mbetur me 6 Euro në xhep. Një nga lojtarët më të mirë që ka pasur ndonjëherë futbollit botëror, braziliani Ronaldinjo, ndodhet në telashe serioze. Atij i është bllokuar pasaporta nga autoritetet braziliane për shkak të borxheve të shumta dhe sidomos për një ndërtim pa leje në një zonë të mbrojtur, gjë që në legjislacion konsiderohet jo vetëm e paligjshme, por kriminale.
Është pikërisht media braziliane, “UOL”, e cila ka zbuluar se Ronaldinjo ka mbetur trokë, për shkak të borxheve që ka. I janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare dhe shkak në fillim është bërë një borxh prej 2 milionë Eurosh, nga ku e ka zanafillën ndërhyrja e prokurorisë braziliane në llogaritë bankare të ish-sulmuesit të Barcelonës, Paris SG-së dhe Milanit, por edhe disa klubeve braziliane. Sipas medias në fjalë, Ronaldinjo ka në llogarinë e tij vetëm 6 Euro.
Çdo gjë tjetër i është bllokuar dhe atij i është mbajtur pasaporta, që do të thotë nuk mund të largohet. Deri në një situatë të dytë “fenomeni” brazilian, një prej më të mirëve që ka parë ndonjëherë fusha e gjelbërt, do të qëndrojë pa asnjë kacidhe në xhep. Edhe pse është ambasador i shumë kompanive të famshme sportive, përfshi dhe “Nike”, ai duket “në dokumente” një varfanjak. Duke qenë se atij nuk i lejohen udhëtimet, kjo do të shfaqë probleme për ish-sulmuesin, të cilit i kanë mbetur vetëm 6 euro në xhep.