AlbanianSport.com 06/01/2018 11:55
ASNN – Vllaznia e ka fituar ndeshjen e javës së 8-të të Kategorisë së Parë, duke mposhtur në Shkodër Vorën me shifrat 3-1. Një nga autorët e golave ishte edhe Silvio Zogaj, i cili nuk e ka fshehur kënqësinë e rikthimit tek goli.
“Në fakt më duhej ky gol, sepse u bënë disa ndeshje pa e provuar shijen, – ka thënë ai. – Për më tepër, goli ishte pjesë e një fitoreje të rëndësishme për skuadrën.” Mesfushori është rikthyer këtë sezon në Shkodër.
Dhe ai ka vlerësuar besimin që i ka dhënë trajneri Lika, por edhe pritjen që i ka bërë skuadra. “Natyrisht që më gëzon fakti që trajneri më konsideron pjesë e formacionit dhe në këtë rikthim jam ndjerë në shtëpi”, – tha ai .
Zogaj e ka hedhur vështrimin tek sfida e radhës për Vllazninë, tek përballja me Ilirinë në Fushë-Krujë. “Nuk mund ta nënvlerësojmë Ilirinë pavarsisht nga pozicioni në renditje, sepse këto lloj skuadrash të hapin shumë punë”, – ka këmbëngulur mesfushori.
Pas 8 javëve të para të këtij sezoni, Vllaznia kryeson renditjen e grupit A, apo Grupit të Veriut, të Kategorisë së Parë me 22 pikë, e shkëputur 7 pikë nga dy ndjekëset, Erzeni dhe Besëlidhja.