AlbanianSport.com 06/01/2018 10:05
ASNN – Takimi Laçi-Skënderbeu, i shtyrë në fillim për shkak të mungesës së një fushe, do të luhet të mërkurën në ora 14:00 dhe kjo ka sjellë një pështjellim në kampin kurbinas. Kjo sepse fillimisht, ishte bërë një plan stërvitor me mesjavën pushim, ndërsa mesditën e së hënën u mësua se do të luhej të mërkurën ndeshja që fillimisht ishte zyrtarizuar si e shtyrë pa afat.
Pas një të diele pushim, skuadra ka nisur përgatitjet të hënën, ndërsa të martën paradite ka zhvilluar edhe një analizë për të vijuar më pas me seancën e fundit stërvitore. Aktualisht, pas largimit të trajnerit Artan Merxhushi, skuadra po drejtohet nga ndihmësi Migen Memelli, nën drejtimin e të cilit, Laçi mori një fitore minimale, por mjaft të vyer në Gjirokastër ndaj Luftëtarit vendas.
Kjo bëri që kurbinasit të ndajnë tanimë vendin e 3-të dhe të 4-t me Kukësin, me nga 19 pikë. Burime pranë klubit laçjan kanë bërë të ditur se grupi i lojtarëve është i plotë dhe nuk ka probleme as me dëmtimet e as me kartonët. Atmosfera në skuadër është pozitive dhe sfida me Skënderbeun shihen si provë konsolidimi, edhe për arsye se kurbinasit morën një pikë në vizitën e fazës së parë në Korçë.
Përballja me korçarët shihet si provë konsolidimi jo vetëm për skuadrën, por edhe për vetë Memellin, të cilit, në rast të një rezultati pozitiv, mund t’i besohet edhe drejtimi në vazhdimësi i skuadrës, duke e graduar nga ndihmës, në trajner të parë. Megjithatë, gjithçka mbetet për t’u parë të mërkurën pasdite, kur të dyja skuadrat të zbresin në fushën e blertë të Stadiumit “Selman Stërmasit” të kryeqytetit.
Aty ku Laçi do të mundohet të marrë fitoren përballë një skuadre që ka pësuar vetëm një humbje këtë sezon, ndërsa është ndalur vetëm në një barazim, përveç atij të Korçës