AlbanianSport.com 06/01/2018 07:20
ASNN – Sahit Prizreni vlerëson lart Ballkaniadën e Mundjes për Të Rinj, kritika Mministrisë që nuk i mbështeti financiarisht. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, ka folur pas Kampionatit Ballkanik për Të Rinj që u zhvillua në Tiranë nga data 1 deri më 4 nëntor dhe ku Shqipëria e mbylli me plot 11 medalje, dy ari, shtatë argjendi e dy bronzi. Në një prononcim për mediat, Prizreni ka përgëzuar sportistët tanë dhe pjesëmarrësit.
Në të njëjtën kohë ka shprehur kënaqësinë e tij për prezantimin cilësor të mundësve shqiptarë, meshkuj e femra, por ka kritika të forta për ministrinë e sportit e cila e injoroi tërësisht këtë veprimtari.“Çdo gjë shkoi shumë mirë, – u shpreh Prizreni, – si për sa i takon organizimit, ashtu dhe për rezultatet e arritura, ku të dy sportistët ku ne kishim pritshmëri maksimale, Paris Karepi dhe Eriglend Prizreni, e realizuan si duhet objektivin e tyre.”
“Nuk na zhgënjyen, edhe pse kishin përballë kundërshtarë shumë të fortë, me të cilët do të ndeshen sërish në garat e ardhshme evropiane e botërore, – vijoi ai. – Do ta quaja një arritje për të gjithë, si për sportistët, trajnerët, por edhe për Federatën Shqiptare të Mundjes, por kemi pasur një shpërfillje totale nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Ministria nuk është kujtuar fare për ne dhe s’kemi pasur asnjë mbështetje ekonomike prej tyre.”
“Madje nuk kemi pasur as mbështetje morale, ku asnjë përfaqësues i sportit të kësaj ministrie nuk ishte i pranishëm në këtë veprimtari, edhe pse ne u kishim dërguar ftesë”, – ka përfunduar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni.