AlbanianSport.com 05/01/2018 23:35
ASNN – Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit, pasi mori në shqyrtim ngjarjet dhe fenomenet negative sportive që ndodhën gjatë ndeshjeve të futbollit në kategoritë e ndryshme, mori masa ndëshkimore për shkelësit e Kodit të Drejtësisë Sportive. E siç ndodh shpesh me komisionin, edhe këtë herë nuk kaloi pa dhënë vendime që lënë mundësi interpretimi dhe debati.
Natyrisht, ndër të gjitha vendimet, ai më i bujshmi ka të bëjë me penalizimin e tifogrupit të Tiranës, “Fanatiks”, i cili kishte shpalosur një banderolë kundër presidentit të klubit në ndeshjen e fundjavës që lamë pas, duke vonuar startin e ndeshjes me 12 minuta. Por në këtë vendim ka diçka të mirë.
Tiranës nuk i penalizohet e gjithë tifozeria por vetëm një pjesë e saj dhe ky mund të merret si risi dhe njëherësh precedent për vendimet e ardhshme, ku për shkak të një individi apo grup individësh penalizohet tifozeria e një klubi të tërë, gjë që pas këtij rasti do të shqyrtohet me kujdes.
Ja vendimet e Komisionit të Disiplinës së FSHF-së:
FK “Kukësi”, për sjellje të gabuar të tifozerisë së tij duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobe në masën 50.000 (pesëdhjetëmijë) Lek.
Grupimi i Tifozëve të KF Tirana, “Tirona Fanatics” për sjellje të gabuar duke paraqitur parulla ofenduese, në bazë të nenit 21 dhe 66/3 të KDS përjashtohet nga pjesëmarrja për 2 (dy) ndeshje te njëpasnjëshme ne sektorët përkatës te stadiumeve; Urdhërohet KF Tirana, të ekzekutojë vendimin duke mbyllur sektorët përkatës.
Zyrtari i FK “Kamza”, Andi Matraxhiu, për sjelle të gabuar ndaj zyrtareve të ndeshjes,në bazë të Nenit 49/2/a të KDS, dënohet 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në bazë të Nenit 21 të KDS, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes, qëndrimi në stolin e rezervave dhe territori përreth fushës së lojës.
Zyrtari i KF “Turbina”, Engjëll Belshi, për protesta ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a të KDS,dënohet me 2(dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.