AlbanianSport.com 05/01/2018 17:10
ASNN – Xherdan Shaqiri nuk do të udhëtojë me Liverpulin drejt Beogradit, për ndeshjen e së martës në orën 18:55 në kuadër të Ligës së Kampioneve. Shkak është marrëdhënia e tensionuar e tij me tifozerinë serbe dhe serbët në përgjithësi. Arsyeja kryesore është goli i tij i shënuar për Zvicrën në duelin kundër Serbisë në fazën e grupeve të Botërorit në Rusi, ku futbollisti i lindur në Kosovë e festoi golin me simbolin e shqiponjës, sikurse bëri dhe shqiptari tjetër Granit Xhaka, një lloj festimi mjaft origjinal që tregon simbolin kombëtar shqiptar dhe që bëri mjaft bujë në median sportive botërore.
Por në kuadër të javës së katërt në grupin C, Liverpuli do të jetë udhëtues në duelin kundër Crvena Zvezdës në Beograd. Klopi ka vendosur ta lerë në shtëpi Shaqirin, për të mos krijuar tensione dhe ka shpjeguar arsyen e vendimit që ka marrë. “Kemi dëgjuar dhe lexuar spekulimet, – është shprehur Klop në konferencën e mbrëmshme për shtyp, – dhe flasim për pritjen që Shaqiri do të merrte dhe megjithëse nuk kemi ide se çfarë do të ndodhte, ne do të shkojmë dhe duam të jemi të përqendruar 100% vetëm në futboll e nuk duhet të mendojmë për ndonjë gjë tjetër, kjo është e gjitha. Ne jemi Liverpuli, një klub i madh, një ekip futbolli dhe nuk kemi asnjë mesazh përtej kësaj.”
“Ne nuk kemi mesazhe politike, – theksoi më pas trajneri gjerman i Liverpulit. – Duam që fokusi të jetë në një ndeshje futbolli, që nuk varet nga asgjë tjetër. Duam të jemi të respektueshëm dhe duam të evitojmë çdo problem të mundshëm, pasi po shkojmë vetëm për të luajtur futboll. Pra, për këtë arsye, Shaqiri nuk është i përfshirë dhe ai e pranon dhe e kupton këtë. Xherdani është lojtari ynë, e duam dhe do të luajë për ne shumë herë, por jo të martën.” Me këtë vendim duket se Klop ka dashur ta mbrojë Shaqirin nga fyerjet dhe nga presioni i tifozerisë serbe, por njëherësh dhe për ta ruajtur atë nga ndonjë dëmtim i mundshëm, apo nga rreziqe.
Këtë situatë ai e kuptoi pas në mediat serbe ishte folur deri për atentat ndaj Xherdan Shaqirit, por siç ndodh rëndom në Ballkan, ku “qimja bëhet tra e trau bëhet qime”, gadishulli ynë “vuan” të ketë normalitet edhe në sport.