AlbanianSport.com 04/01/2018 21:25
ASNN – Kampionati Ballkanik i Mundjes për Të Rinj rezultoi i suksesshëm në të gjitha aspektet. Natyrisht, e mira nuk ka fund, por fakti që Shqipërisë iu besua ta organizojë këtë aktivitet në Tiranë, me një pjesëmarrje të gjerë nga vendet e rajonit dhe me kushte relativisht të mira në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, ishte padyshim një moment reflektimi për mundjen shqiptare dhe një “gur kilometrik” për të pritur siç duhet Evropianin e të rriturve më pas, por edhe veprimtari të tjera të rëndësishme ndërkombëtare të mundjes.
Të dielën u zhvilluan garat e ditës së fundit, pikërisht duelet e mundjes së lirë. Rivaliteti ishte shumë i madh, dhe njëjtë sikurse në stilin klasik, edhe në mundjen e lirë dominuan turqit, duke fituar 6 nga 9 peshat trupore në konkurrim. E veçanta në këtë stil ishte rivaliteti i kuqezinjve, që nxorën dy kampionë Ballkani, në kategorinë e peshës trupore deri në 65 kg dhe në atë deri në 125 kg. Në peshën deri në 65 kg konkurroi Eriglent Prizreni, që fitoi medaljen e artë, një triumf që pritej nga sportisti kuqezi, pinjoll i dinastisë “Prizreni” në mundjen e lirë.
Kurse në peshën deri në 125 kg, triumfoi Paris Karepi, që u shpall “Kampion Ballkani”, duke i dhënë Shqipërisë medaljen e dytë të artë. Medalje të argjendta, pra vendi i dytë, arritën të marrin edhe mundësit Elmaz Kryeziu në 70 kg, Hans Mara në 86 kg dhe Emiliano Onuzi në 92 kg. Kurse medalje bronzi arriti Oltion Bardhi në peshën trupore deri në 57 kg. Kujtojmë që në rang ekipor, Turqia zuri vendin e parë me 205 pikë, ndjekur nga Shqipëria me 147 pikë, kurse vendi i 3-të për stilin e lirë shkoi për Maqedoninë me 105 pikë.
Në total, Shqipëria e mbylli këtë veprimtari rajonale me 11 medalje, prej të cilave, dy ari, 7 argjendi dhe dy bronzi, si dhe vend të dytë ekipor, pas Turqisë. Një paraqitje vërtet e mirë për ekipin kuqezi, si në stilin greko-romak (klasik), ashtu dhe në stilin e lirë.
Kampionati Ballkanik
i Mundjes për Të Rinj
Ja fituesit e ditë së fundit:
Stili i Lirë
Pesha Sportisti Shteti
57 kg Ahmet Duman Turqi
61 kg Xhavit Axhar Turqi
65 kg Eriglent Prizreni Shqipëri
70 kg Fatih Jëlldirëm Turqi
74 kg Bulutan Oksuz Turqi
79 kg Oktai Hasan Bullgari
86 kg Efasami Unal Turqi
92 kg Jusuf Axhehan Turqi
125 kg Paris Karepi Shqipëri
Fituesit ekiporë:
- Turqia 205 pikë
- Shqipëria 147 pikë
- Maqedonia 105 pikë