AlbanianSport.com 04/01/2018 20:30
ASNN – Sulmuesi i Kombëtares kuqezi të Nën-21-vjeçarëve, Taulant Seferi, po kalon një moment magjik në kampionatin zviceran. Ai shënoi sërish gol sot në ndeshjen që Vinterthuri fitoi 3-2 ndaj Rapersvilit dhe ku sulmuesi kuqezi realizoi golin e 3-të që i dha qetësinë ekipit të tij. Realizimi këtë herë erdhi nga pika e bardhë e 11-metërshit.
Ecuria e Seferit në javët e fundit të kampionatit zviceran ka qenë vërtet mbresëlënëse, pasi në 6 javë kampionat ka realizuar 5 gola, një ecuri mjaft e mirë. Kësaj ecurie i shtohen edhe dy golat që realizoi Taulant Seferi me ekipin kombëtar të Nën-21-vjeçarëve me kundërshtarët e Estonisë në Eliminatoret e Evropianit të kësaj grupmoshe.
Golat e tij janë një sinjal i mirë për trajnerin Kristian Panuçi, që mund t’i japë një shans futbollistit të tregojë vlerat e tij në një nga duelet e ardhshme miqësore. Në një moment kur Kombëtarja po vuan për golashënues, një mundësi për Seferin që po shkëlqen në Zvicër është e domosdoshme.