AlbanianSport.com 04/01/2018 18:40
ASNN – Shkëndija merr kryesimin në Maqedoni, fiton derbin shqiptar me Shkupin dhe zbret Vardarin në vend të dytë. Në kuadër të javës së 13-të në kampionatin elitar maqedonas, Shkëndija e Tetovës mori një fitore të madhe në derbin shqiptar me Shkupin, duke fituar 3-0 me golat e Fazli, Eminit dhe Alimit, duke siguruar një trepikësh që e ngjiti për herë të parë këtë edicion në vend të parë.
Për Shkëndijën ishte një sukses i madh sepse kjo ishte fitorja e 4-t radhazi, duke përfshirë dhe një fitore të pastër e direkte me Vardarin para dy javësh. Pikërisht Vardari, rival për titull, u ndal sot nga Belasika në Shkup me rezultatin e barabartë 1-1. Për shkak të golavarazhit më të mirë, Shkëndija merr kreun e renditjes me 28 pikë, duke zbritur Vardarin në vend të dytë, pavarsisht se edhe ekipi maqedonas ka 28 pikë.
Natyrisht, kjo javë ishte me mjaft peshë për Shkëndijën, që në këtë fazë të dytë do të presë Vardarin e Shkupit në fushën e vet në Tetovë dhe do të ketë shanse më shumë për të ruajtur kreun. Ecuria e javëve të fundit të bindin që Shkëndija ka shanse maksimale të fitojë edhe këtë sezon titullin në kampionatin e Maqedonisë, edhe pse skuadra është përballur jo rrallëherë me racizëm në shkallët e stadiumeve.
Theksojmë se në kampionatin e vendit fqinj, Shkëndija dhe Vardari bëjnë diferencë me skuadrat e tjera, pasi vendi i tretë është gjashtë pikë prapa dhe mbahet nga Akjademija Pandev. Shtojmë gjithashtu se skuadra tjetër shqiptare e Tetovës, Renova, ndodhet në vendin e 6-të, me 16 pikë, por KF Shkupi, ekip tjetër shqiptar, ndodhet në vendin e parafundit, me vetëm 12 pikë, duke lënë në vend të fundit Sileksin, me 11 pikë.