AlbanianSport.com 03/01/2018 22:05
ASNN – Midis Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ministrisë së Financave hapet një luftë e pakuptimtë. Në një kohë që shteti ka ligje e rregulla dhe ku institucionet duhet të zbatojnë pikërisht ligjet, vjen një fërkim i pakuptimtë por me pasoja, sepse punimet në stadiumin “Arena Kombëtare” e Tiranës janë ndërprerë. Dhe me ndërprerjen e punimeve impianti mund të rrezikojë të mos mbyllet në kohë sipas parashikimeve.
Bëhet fjalë për 2 milionë Euro, që Komisioni i Apelit i Ministrisë në fjalë ka refuzuar të rimbursojë TVSH-në e investimit që ka kryer organizmi që qeveris futbollin në vend dhe ku shuma që duhej rimbursuar kap vlerën e 2 milionë Eurove.
Ja qëndrimi i plotë i Federatës Shqiptare të Futbollit:
“Nga Ministria e Financave vjen një lajm tjetër: Komisioni i Apelit refuzon të rimbursojë TVSH-në për pjesën e investimit të kryer nga FSHF në stadiumin “Arena Kombëtare”. Kjo do të thotë që këtij investimi i mungojnë afërsisht 2 milionë Euro dhe se praktikisht përfundimi i punimeve të stadiumit vihet seriozisht në pikëpyetje.
Në bazë të VKM Nr.953, datë 29/12/2014, neni 5, pika 5, Qendra Sportive Kuq e Zi, ka bërë deklarimet kronologjike në librat e blerjes dhe shitjes të TVSH-së, duke konsideruar dhe deklaruar se qiradhënia e ardhshme do të jetë e tatueshme. Këtë shpjegim nuk po e bëjmë për Komisionin e Apelit që sillet si një grup “tifozësh ultras”, por për ata që e dinë dhe e kuptojnë këtë procedurë ligjore.
Gjithsesi FSHF do t’i drejtohet Gjykatës, për këtë çështje, por është për të ardhur keq se si një grup burokratësh të shtetit dhe të politikës, ende nuk ju ka dalë mërzia, që Shqipëria u kualifikua në “EURO 2016”, dhe janë akoma më të mërzitur që Tirana po bëhet me një stadium modern!”