AlbanianSport.com 03/01/2018 19:20
ASNN – Napoli mposhti Empolin me shifrat e thella 5-1, në një ndeshje ku luajti titullar për 90 minuta mbrojtësi i skuadrës tonë kombëtare, Elseid Hysaj. Shkodrani u aktivizua në krahun e majtë të mbrojtjes, pra jo në rolin e tij natyral, sepse në të djathtë trajneri Karlo Ançeloti kishte zgjedhur Malkuitin. Pavarësisht kësaj, Hysaj bëri një paraqitje të mirë dhe të gjitha mediat sportive italiane e vlerësuan me notë cilësore prezantimin e tij në këtë ndeshje.
Si shumica e lojtarëve të Napolit, Hysaj mori notën 6, që do të thotë një vlerësim i mirë. “Luan mirë edhe në krahun e majtë dhe pas luhatjes që pati në disfatën kundër Romës, në ndeshjen kundër Empolit paraqitet mirë, i vendosur, i zgjidh mirë situatat në mbrojtje, përpiqet të çajë përpara e madje pati dhe një rast për të shënuar golin e parë me Napolin por nuk ia doli”, – shkruajnë mediumet italiane në vlerësimin për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare të futbollit.
Lojtari është ende në “ajër” në lidhje me kontratën tek Napoli, pasi nuk ka rënë dakord për pagesën. Sipas informacioneve që servirin mediat italiane, që u referohen deklaratave të menaxherit Mario Xhufredi, Hysaj ka kërkuar më e pakta 2.5 milionë Euro në vit, ndërkohë që Napoli nuk jep më shumë se 2 milionë Euro. Për shkak të mosmarrëveshjes, raportet e Hysajt me Napolin duken të “ngrira”, por lojtari vazhdon të bëjë lojën e tij në fushë.