AlbanianSport.com 03/01/2018 15:40
ASNN – Shqipëria po merr pjesë në Turneun Ndërkombëtar të Taekuondosë “Drakula Open G1 2018”, që po zhvillohet në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht. Të shtunën zbriti në garë Elord Gjana i Shqipërisë, në peshën trupore deri në 54 kg, dhe ia doli që të sigurojë një medalje argjendi. Ai zuri vendin e dytë në peshën e tij dhe kjo është një arritje e madhe e sportistit shqiptar.
Në fakt, Gjana ishte kandidat i fortë për të rrëmbyer medaljen e artë nga kjo veprimtari, por ai pësoi një dëmtim në ndeshjen gjysmëfinale dhe në finale nuk ishte në kapacitetin e tij maksimal. Sidoqoftë, medalja e argjendtë është një arritje për sportistin, një sukses i radhës pas medaljes së bronztë që ai fitoi në Serbi pak kohë më parë.
Ndërkohë, të dielën do të garojë për Shqipërinë një tjetër sportist, Valdet Allaraj, i cili merr pjesë në kategorinë e peshës trupore deri në 58 kg. Sikurse Gjana, edhe Allaraj shpreson të arrijë në zonën e medaljeve, megjithëse në këtë kategori konkurrenca është shumë e fortë. Stafi shqiptar beson shumë që të dy sportistët do të kthehen me medalje nga kjo veprimtari.