AlbanianSport.com 02/01/2018 17:25
ASNN – Rivaliteti në basketbollin e femrave këtë edicion të Kampionatit Kombëtar e ka bazën e vet në kryeqytet. Dy skuadra e Tiranës, konkretisht SH.K.B.F Tirana dhe SH.B.F Tirana po rivalizojnë me njëra-tjetrën për titullin dhe kanë mundur të spostojnë poshtë në renditje kampionet në fuqi, Flamurtarin. Është meritë e këtyre skuadrave që kanë bërë një merkato cilësore, kanë ndërtuar grupe me mentalitet fituesi dhe njëherësh po investojnë për të marrë maksimumin e për ta mbyllur sezonin me trofe.
Natyrisht, sezoni është ende në hapat e tij të parë dhe mund të ketë surpriza në vijim, por për momentin dy skuadrat e Tiranës bëjnë “ligjin” në kampionatin e basketbollit të femrave. Të premten pasdite, SH.B.F. Tirana mposhti në kryeqytet Vllazninë, me shifrat e thella 83-54. Janë 29 pikë diferencë që tregojnë qartë dominimin e skuadrës bardheblu që drejtohet nga teknikja Mirza Alibegaj, ndërsa Vllaznia është një skuadër e re, pa përvojën e duhur dhe që i duhet ende shumë punë të rivalizojë në nivele të larta.
Sa u takon pjesëve, ato nuk prodhuan surpriza sepse dominimi i vajzave të kryeqytetit ishte i qartë dhe i thellë. 10-minutëshi i parë përfundoi 19-11, i dyti 15-11, i treti me shifra rekord 30-10 e vetëm në 10-minutëshin e fundit Vllaznia mundi të rivalizojë e të fitojë 19-22, teksa vendaset i lanë paksa të lira për shkak të epërsisë që kishin krijuar nw fillim dhe nuk u rrezikohej aspak fitorja.
Me këtë sukses, SH.B.F Tirana ngjitet në vend të parë me 9 pikë, e ndjekur nga rivalja tjetër e kryeqytetit, SH.K.B.F Tirana e trajnerit Erdal Borova me 8 pikë, por me një ndeshje për të zhvilluar në Vlorë me Flamurtarin.