AlbanianSport.com 02/01/2018 16:35
ASNN – Gazeta e madhe spanjolle “El Mundo”, shkruan sot se Mançester Siti është duke përgatitur një ofertë të parezistueshme për yllin argjentinas Lionel Mesi, një lëvizje që, nëse realizohet, do t’u kushtojë arkave të klubit të “Qytetarëve” plot 700 milionë Euro.
“Shkues” për ardhjen e Mesit po bëhet Pep Guardiola, ish-trajneri i Barcelonës, i cili insiston të blihet Mesi që Siti të fitojë Ligën e Kampioneve. Llogaritë kanë nisur të bëhen me laps në dorë. Kështu, është parashikuar që Barcelonës t’i jepen në dorë 250 milionë euro.
Kurse babait të Mesit që është njëherësh menaxheri i tij t’i jepen plot 50 milionë euro. Për sulmuesin janë programuar 250 milionë Euro pagë për një kontratë 5-vjeçare. Nëse në këto shifra përfshihen shpërblimet dhe përfitimet e tjera atëherë shifra e transferimit të Mesit nga Katalonja në Mançester kap kuotën e 700 milionë Eurove.
Që do të ishte njëherësh edhe transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit, afërsisht 3.5 herë më shumë sesa kalimi i Nejmarit nga Barcelona tek Paris SG-ja. Tanimë gjërat janë në dorën e vetë Lionel Mesit, i ciili duhet të bëjë një zgjedhje përfundimtare të karrierës së tij.
Ndoshta një përvojë e re mund ta nxisë atë të braktisë katalanët për “Qytetarët” anglezë, një klub që financohet nga sheikët arabë të naftës dhe që pretendohet se për Mesin nuk do të kursehen aspak.