AlbanianSport.com 01/01/2018 15:25
ASNN – Shqipëria e Nën-17 vjecarëve nuk arriti të kalonte në Turin “Elitë”, pasi në grupin e saj arriti të mundë vetëm Azerbajxhanin, por dështoi me kombëtaren e kësaj moshe të Republikës Çeke, si dhe të Norvegjisë, duke mos ia dalë të shkojë më tej. Ndërsa kuqezinjtë zhgënjyen, një tjetër skuadër shqiptare e 17-vjeçarëve arrin një sukses historik.
Është Kosova e Nën-17-vjeçarëve, e cila me fitoren e sotme kundër Qipros 1-0, duke marrë kreun e grupit të pestë eliminator. Ishte një ndeshje interesante në të gjitha aspektet, por dukshëm vullneti dhe njëherësh qëndrueshmëria e lojtarëve kosovarë bënë diferencën. Mjaftoi një gol i shënuar nga Milot Avdyli në pjesën e dytë, që të rinjtë e Kosovës të marrin një fitore të madhe duke u renditur të parët në grup.
Në fakt, një ndihmë të madhe për të mbajtur këtë pozicion, Kosovës ia dha edhe Zvicra që arriti të ndalte në barazim Skocinë, ku kjo e fundit renditet e dyta me 1 pikë më pak. Kjo është hera e dytë që Kosova e Nën-17-vjeçarëve merr pjesë në këto eliminatore dhe hera e parë që kualifikohet për në Turin “Elitë”. Për futbollin shqiptar në tërësi mund të quhet sukses dhe konfirmohet, ndërkohë, që ka plot talente që do të ndihmojnë Shqipërinë dhe Kosovën në të ardhmen të regjistrojnë sukses.