AlbanianSport.com 31/10/2018 18:00
ASNN – Lamtumirë Dembele, sulmuesi nuk e kaloi “klasën” te Barcelona. Çelsi, Arsenali dhe Totenhemi janë klubet që kanë shprehur interesim për të marrë shërbimet e sulmuesit francez të Barcelonës, Osman Dembele. Një vit pas ardhjes së lojtarit në “Kamp Nou” mund të thuhet se Dembeleja ngeli në “klasë”.
“Mundo Deportivo” informon se lojtari do të largohet nga Barcelona në periudhën e merkatos dimërore, pra në janar. Shkak është se ai nuk ka fituar dot vendin e titullarit, ndërkohë që Kutinjo, Suarez dhe të tjerët janë më aktivë dhe më efikasë në fushën e lojës.
Pra 21-vjeçari do të dalë në shitje. Duket e habitshme, por blerja 115-milionë-Euroshe e klubit “blaugrana” nuk rezultoi efikas, edhe pse erdhi me shumë bujë nga radhët e Borusias së Dortmundit.
Madje Dembele u ble më shtrenjt edhe se Kutinjo, por ai ka rezultuar dështim deri tani. Për këtë arsye Barcelona po e nxjerr në shitje. Për momentin, kartoni i tij vlerësohet rreth 80 milionë Euro.
Dhe interesim për të kanë shprehur klubet kryesore të Premier Ligës Angleze, por vështirë se Barcelona do të fitojë prej tij një shifër kaq të lartë sa ajo vetë e bleu nga Borusia e Dortmundit.