AlbanianSport.com 31/10/2018 13:25
ASNN – Trajneri i skuadrës së Tiranës në volejboll për femra, Adrian Gorenxa, është i vetëdijshëm se ky kampionat do të jetë shumë i fortë dhe në fund në garën për titull do të ketë disa skuadra, ku krahas Tiranës së tij ai sheh Partizanin, Mirditën dhe Barleti Volej, si rivalë potencialisht të mundshëm për të fituar trofeun kryesor të sezonit.
Në një intervistë të dhënë për të përditshmen shqiptare “Panorama Sport”, Gorenxa analizon punën e skuadrës së tij, gjendjen e grupit, por edhe pozicionimin krahasuar me rivalet, duke pasur besim se Tirana mund të ketë një edicion të madh në volejbollin e femrave këtë sezon.
“Ne i kemi objektivat e qarta, – thotë Gorenxa për të përditshmen në fjalë, – dhe nuk duam të nënvlerësojmë asnjë ekip. Pasi të gjitha skuadrat kanë pretendimet e tyre në këtë kampionat, por sigurisht që do të luftojmë për vendet e para në mënyrë që të kapim zonën e “play-off”-it, ku më pas do të shihet se cila skuadër do ta fitojë titullin.”
“Kampionati është shumë i fortë, – vijoi kreu i stolit bardheblu, – dhe rivaliteti ndërmjet ekipeve shumë i lartë. Barleti Volej është një ekip mjaft i mirë, por edhe Mirdita në këtë sezon ka shfaqur një nivel të mirë dhe këtë edicion do të jetë konkurrente serioze për titullin.”
“Nuk duhet të harrojmë Partizanin, sigurisht, i cili mbetet një ekip pretendent. Pra mund të them që lufta për titullin “kampion” në këtë edicion do të zhvillohet ndërmjet katër skuadrave”, – ka përfunduar trajneri i skuadrës kryeqytetase, e cila kryeson renditjen e grupit A1, me pikë të plot 12, pas 4 fitoreve të pastra në 3 sete.