AlbanianSport.com 30/10/2018 22:35
ASNN – FSHF reagon 24 orë pas banderolës së tifozëve të Partizanit, priten masa ndëshkimore nga Disiplina. Federata Shqiptare e Futbollit reagoi më në fund për banderolë me përmbajtje fyese të tifozëve të Partizanit në ndeshjen e luajtur në hënën në darkë në Stadiumin “Selman Stërmasi” midis Partizanit dhe Skënderbeut dhe që u mbyll me fitoren e skuadrës korçare 2-0.
Banderola e tifozëve të Partizanit me përmbajtje “Një grek më pak, një bastard më pak”, duket se ka shkaktuar tension edhe në raportet politike, sepse po shfrytëzohet nga qarqet ekstremiste greke. Në qëndrimin e saj FSHF jo vetëm është distancuar nga përmbajtja e parullës së tifozerisë së kuqe, të cilin e konsideron me sfond racist e të papranueshëm, por këshillon që stadiumet të mos shfrytëzohen për të shpalosur pseudopatriotizëm dhe për të prishur imazhin e lojës.
Ja qëndrimi i plotë i Federatës Shqiptare të Futbollit:
“Federata Shqiptare e Futbollit shpreh shqetësimin e thellë dhe distancohet në mënyrë të prerë nga incidenti i djeshëm ndodhur gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu, duke iu referuar qartazi parrullës së shpalosur në fillim të ndeshjes në seksionin e tifozerisë së Partizanit, parrullë dukshëm me sfond racist dhe me mesazhe të papranueshme për fushën e blertë dhe lojën e futbollit. Edhe pse u desh ndërhyrja e delegatit të ndeshjes për heqjen e atij çarçafi të errët, sërish qëllimi dhe akti mbetet shumë i dënueshëm.
Ajo parrullë që nuk ka asnjë të përbashkët me thelbin e futbollit për të bashkuar njerëzit në paqe e harmoni, nuk mund të jetë kurrsesi një element tifozerie e aq më pak të qëndrojë mbi flamurin tonë kombëtar. FSHF, duke dënuar me forcë gjuhën e përdorur dhe mendjen e trazuar për t’a përzierë futbollin me racizëm apo pseudo nacionalizëm, siguron opinionin publik dhe tifozët e vërtetë se stadiumet tona nuk do të shndërrohen asnjëherë në mediume konflikti dhe urrejtjeje por do të jenë në çdo rast e çast arenë ku mbizotëron fryma e solidaritetit, gjallërisë dhe dashurisë për futbollin.
Ritheksojmë se distancohemi qartazi nga çdo provokim dhe shprehim bindjen se ky grupim i veçuar, çarçaf i shkurtër dhe i keq orientuar nuk do të arrijë të prishë imazhin e futbollit dhe tifozerisë së vërtetë. Duke i nxjerrë kartonin e kuq këtij rasti të rrezikshëm për imazhin e futbollit, i sigurojmë të gjithë se do të merren të gjitha masat përkatëse që raste të tilla skenaresh dritëshkurtra jo vetëm të mos kalojnë pa u ndëshkuar por kurrsesi të mos përsëriten e të mos njollosin imazhin e lojës së futbollit.
Duke theksuar se mbetet në përgjegjësinë e klubit parandalimi i këtyre incidenteve, në rastin aktual i klubit “Partizani”, bëjmë me dije se komisionet juridike pranë FSHF-së do të mblidhen në mënyrë urgjente dhe do të shqyrtojnë të gjithë incidentin për të vijuar me masat përkatëse.”