AlbanianSport.com 30/10/2018 21:40
ASNN – Talenti shqiptar 21-vjecar i kombëtares Shpresa të Kosovës, Ardian Ismaili, ka vendosur të përfaqësojë Shqipërinë në rang ndërkombëtar. Referuar lajmit që japin mediat sportive shqiptare, Ismaili ka marrë pasaportë shqiptare dhe me gjasë, ai do të jetë i ftuar nga trajneri Kristian Panuçi në kuadër të ndeshjes së 17 nëntorit 2018 kundër Skocisë, një ndeshje në kuadër grupit të parë të Divizionit C të të Ligës së Kombeve.
Ismaili është pjesë e Hajdukut të Splitit dhe luan si qendërmbrojtës. Në këtë formë, repartit mbrojtjes i shtohet një lojtar që konkurron dhe një e ardhme e kuqezinjve. Kujtojmë se në mbrojtje është afruar dhe talenti tjetër kosovar, Kastriot Dermaku, i aktivizuar së fundmi nga Panuçi. Në fakt, ky parimi “po s’më pranoi njëra skuadër shqiptare unë largohem e shkoj tek tjetra”, si duket po bëhet e modës.
Ka plot lojtarë të tjerë që ikin nga kuqezinjtë sapo e shohin veten që s’janë preferencë e parë dhe vendosin të bëhen pjesë e kampit tjetër. Fundja, në të dy krahët shqiptarë jemi dhe zgjedhja nuk përbën më lajm e as konsiderohet tradhti, përkundrazi, secili sheh mundësinë e tij në të mirë të karrierës së tij.