AlbanianSport.com 30/10/2018 17:05
ASNN – Nëpërmjet një komunikate për shtyp në rrjetin social “Facebook”, klubi i Partizanit ka falënderuar 6 mijë tifozët e tij që ishin të pranishëm në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, ku pavarësisht humbjes 0-2 ndaj Skënderbeut, treguan qytetari dhe e shndërruan ndeshjen në një festë të vërtetë të denjë për vitrinë në Superioren shqiptare.
Madje në këtë qëndrim të Partizanit, ka një distancim të klubit nga ajo pjesë e tifozëve që shpalosën parrullën me përmbajtjen “Një grek më pak, Një bastard më më pak“, e cila nuk kishte lidhje me futbollin dhe që shkaktoi mjaft debate e një histeri nacionaliste në qarqet greke në Athinë. “Falë masave të marra organizative, – thuhet në njoftim, – takimi Partizani-Skënderbeu rezultoi një festë e vërtetë sportive e denjë për një ndeshje vitrinë të kampionatit tonë.”
“Njëkohësisht dëshirojmë të distancohemi nga episodet sporadike (rasti i banderolës), të cilat nuk kanë lidhje me eventin sportiv, dhe bien ndesh me politikat “Fair-Play” të Klubit, – shkruhet më tej në komunikatën e klubit. – Sporti duhet t’i bashkojë njerëzit dhe jo të krijojë përçarje mes tyre.Një falënderim i veçantë shkon për tifozerinë e kuqe, e cila me pjesëmarrjen e saj masive,në këtë ndeshje, këngët dhe përkrahjen e fuqishme përgjatë gjithë takimit, dhuruan një atmosferë të mrekullueshme”.