AlbanianSport.com 29/10/2018 17:25
ASNN – Në fundjavën që lamë pas, spikati veçanërisht një nga mesfushorët premtues të ekipit kuqezi, Valon Ahmedi, i cili regjistroi një paraqitje magjike në kampionatin izraelit. Bëhet fjalë për një supergol, të cilin vetë mediat izraelite e konsideruan “perlë futbollistike”, në takimin që Hapoel Ironi Kirjat Shmona, skuadra ku aktivizohet Valon Ahmedi, fitoi 3-0 në fushë të huaj ndaj Bnei Sakhninit.
Goli i bukur i Ahmedit erdhi nga goditja e dënimit në minutën e 30-të të ndeshjes, një ekzekutim mjeshtëror i shqiptarit, ndërsa kompletimi i një mbrëmje magjike nga ana e msfushorit kuqezi erdhi nga dy pasime për golat e tjerë në fitoren e skuadrës izraelite. Më mirë se kaq për Ahmedin nuk mund të shkonte.
Kjo fitore e ndihmoi ekipin e Shmonës të ngjitej në vend të katërt në renditje e kampionatit izraelit, me 12 pikë, por më shumë se fitorja e skuadrës dhe pozicioni në klasifikim vëmendja shkoi për futbollistin e Kombëtares shqiptare, i harruar madje nga trajneri Kristian Panuçi që nuk e ka ftuar në përfaqësuese. Mjafton kjo paraqitje për t’i dhënë një shans Valon Ahmedit.