AlbanianSport.com 28/10/2018 10:40
ASNN – Lojtarët e Kombëtares kuqezi, por edhe futbollistë të shquar shqiptarë që luajnë me përfaqësueset e tjera evropiane, patën një fundjavë magjike, duke shkëlqyer me skuadrat e tyre dhe duke lënë gjurmë mjaft pozitive në shumë stadiume evropiane. Kështu, Etrit Berisha u ktyhye pas shumë kohësh titullar në fushë me Atalantën të shtunën dhe ky ishte lajm mjaft i mirë për lojtarin, të ardhmen e tij dhe njëherësh për Kombëtaren kuqezi.
Gardiani i përfaqësueses së Shqipërisë luajti 90 minuta dhe bëri një paraqitje të shkëlqyer në fitoren që Atalanta mori me rezultatin 3-0 ndaj Parmës. Në këtë ndeshje mbrojtësi tjetër kuqezi dhe i Atalantës, Berat Gjimshiti, qëndroi në stol gjatë gjithë kohës. Ndërkohë, një tjetër lojtar i Kombëtares pati të shtunën një paraqitje mbresëlënëse. Ai është mesfushori i krahut të majtë Ermir Lenjani, i cili shënoi dy gola për skuadrën e tij të Sionit në Zvicër.
Por ekipi i tij u përmbys nga kampionët në fuqi të Zvicrës, Jang Bojs 3-2. Fakti që Lenjani luan titullar dhe shënon gola, duke bërë njëherësh paraqitje të mira, janë sinjale pozitive për trajnerin Kristian Panuçi në prag të ndeshjes me Skocinë që luhet më 17 nëntor në Shkodër. Ndërkohë, një lojtar tjetër nga legjionarët, Taulant Seferaj i përfaqësueses së 21-vjecarëve, bëri një paraqitje mjaft të mirë me Vinterthurin në ligën e dytë zvicerane, duke shënuar gol në fitoren e skuadrës së tij ndaj Shafhauzen.
Për Seferajn ky ishte goli i pestë në pak ndeshje, teksa të shtunën ishte ndeshja e tretë radhazi që ai shënonte gol.