AlbanianSport.com 2710/2018 13:25
ASNN – Superliga” e Kosovës në futboll luan këtë fundjavë ndeshjet e javës së 10-të të saj, ku spikati padyshim fitorja e kampionëve në fuqi, Dritës, përballë KEK-ut, me rezultatin 2-1. Për trajnerin e Dritës, Shpëtim Duro, kjo ishte fitorja e katërt radhazi në kampionatin kosovar.
Kjo fitore e ka afruar ndjeshëm Dritën me kryesuesit e Ferronikelit, tashmë vetëm katër pikë larg (23-19).Ndërkohë, përvec Dritës së Duros, dje në kampionatin kosovar fitoi edhe Ballkani që mundi Lirinë 1-0, si dhe Flamurtari i Prishtinës që mundi në fushë të huaj Ferizajn me rezultatin 3-2.
Këtë të shtunë luhen ndeshjet: Trepca 89-Ferronikeli, Gjilani-Prishtina si dhe takimi Drenica-Llapi. U bënë prej dy vitesh që në kampionatin kosovar po militojnë edhe trajnerët nga Shqipëria, ku kanë provuar fatin e tyre Sulejman Starova, Bledi Shkëmbi, e janë ende atje edhe Shpetim Duro, Gugash Magani e Mirel Josa.
Edhe nga lojtarët e Kategorisë Superiore të Shqipërisë ka pasur tendenca për të luajtur, por edhe ia kanë dalë me sukses në kampionatin e Kosovës, i cili po bën përpjekje të arrijë një nivel më të lartë dhe të japë impulse pozitive me përfaqësimin e tij edhe në veprimtaritë e UEFA-s.