AlbanianSport.com 2710/2018 09:45
ASNN – Java e 7-të e Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit e përball Vllazninë kryesuese të grupit A me Shënkollin e Lezhës, skuadër e cila nga ana e saj renditet në vendin e 7-të, me 7 pikë.
Kuqeblutë vijnë në këtë ndeshje pas fitores së javës së kaluar me Erzenin e Shijakut, ndërkohë që për Shënkollin, java e kaluar rezultoi jo pozitive pasi u mund në vizitën e Beslidhjes me rezultatin 1-3.
Në konferencën për shtyp të dhënë një ditë përpara ndeshjes, trajneri i kuqebluve Hasan Lika foli për rëndësinë e sfidës në përgjithësi, por edhe për optimizmin dhe besimin që skuadra ka në arritjen e rezultatit pozitiv.
Krahas miqësores së luajtur në gusht, Vllaznia udhëton për herë të dytë në Shënkoll, por këtë radhë, në kampin vendas janë shprehur se do të jetë ndryshe në përballjen zyrtare të kampionatit.
Në vijim, trajneri Hasan Lika bëri të ditur se rikthimin e kapitenit Gilman Lika, por nga ana tjetër mund të mungojë mbrojtësi Renato Malota. I pyetur për rezultatin e kësaj ndeshje, kreu i stolit kuqeblu, u shpreh optimist se Vllaznia ka si objektiv vetëm fitoren në këtë ndeshje, starti i së cilës do të jetë në orën 14.00 të ditës së shtunë.