AlbanianSport.com 2710/2018 08:50
ASNN – Prej kohërave të lashtësisë, vrapimi i distancave të shkurtra ka qenë një sport i preferuar dhe ndoshta sporti i parë dhe më i preferuar. Atletika është “mbretëreshë” e sporteve, por gara e sprintit të 100 metrave mund të llogaritet edhe si disiplina më e ndjekur dhe njëherësh më revolucionarja në historinë e sportit.
Në kohërat moderne, rekordi i 100 metrave për meshkuj ka njohur përmirësime të vazhdueshme, por në vitet e fundit rivaliteti ka qenë i spikatur mes atletëve xhamajkanë dhe atyre amerikanë. Natyrisht, prej vitesh kohët më të mira në 100 metra kanë rënë poshtë 10-sekondëshit.
Dhe në listën e mëposhtme jepen 10 rezultatet më të mira të regjistruara ndonjëherë në garën e 100 metrave. Padyshim, Jusein Bolt mban tri rezultatet e para, që do të thotë edhe rekordin botëror prej 9 sekondash e 58 të qindtat, një rezultat i fiksuar në Botërorin e Atletikës në Berlin në vitin 2009.
Në fakt, kampioni olimpik i 100 metrave, shpesh konsiderohet “njeriu më i shpejtë në botë”. Amerikanët Xhastin Gatlin për meshkuj dhe Tori Bouie për femra janë kampionët botërorë në fuqi. Ndërkohë, Jusein Bolt dhe Elen Thompson janë kampionët olimpikë në fuqi ne 100 metra meshkuj dhe femra.
E ndërsa fenomenali Jusein Bolt mban rekordin e 100 metrave për meshkuj me 9.58 sekonda, rekordi botëror i femrave prej 10.49 është vendosur nga Florens Grifith-Xhojner në vitin 1988 dhe mbetet ende në fuqi prej 30 vjetësh. Një tjetër statistikë interesante është për kombësinë e fituesve të 100 metrave.
Atletët amerikanë kanë fituar titullin olimpik në 100 metra më shumë se çdo vend tjetër, 16 nga 28 herë që është zhvilluar Olimpiada. Femrat amerikane kanë dominuar gjithashtu 100-metërshin, duke fituar 9 nga 21 herë. Rekordet e viteve të fundit janë dominuar nga xhamajkanët Jusein Bolt, Johan Blejk dhe Asafa Pauell.
Natyrisht, vëmendja shkon për Jusein Bolt, mbajtësin në fuqi të rekordit botëror të 100 metrave që nga Botërori i Atletikës në Berlin në vitin 2009, një atlet fenomenal që ka bërë gara magjike dhe tërhoqi për më shumë se një dekadë vëmendjen e të gjithë globit.
Me një trup të fuqishëm, shpejtësi skëterrë dhe njëherësh i qëndrueshëm, Bolt shkëlqeu në tri Olimpiada (2008, 2012 dhe 2016) dhe në disa kampionate botërore. Njihuni me 10 rezultatet më të mira të regjistruar ndonjëherë në sprintin e 100 metrave
Nr. Sportisti/Shteti Rezultati (s) Viti/Vendi
- Jusein Bolt (Xhamajka) 9.58 2009/Berlin
- Jusein Bolt (Xhamajka) 9.63 2012/Londër
- Jusein Bolt (Xhamajka) 9.69 2008/Pekin
- Tajson Gej (SHBA) 9.69 2009/Shangai
- Johan Blejk (Xhamajka) 9.69 2012/ Lozanë
- Tajson Gej (SHBA) 9.71 2009/Berlin
- Jusein Bolt (Xhamajka) 9.72 2008/ Nju Jork
- Asafa Pauell (Xhamajka) 9.72 2008/ Lozanë
- Asafa Pauell (Xhamajka) 9.74 2007/Rieti
- Xhastin Gatlin (SHBA) 9.74 2015/ Ad Dauhah