AlbanianSport.com 24/10/2018 18:10
ASNN – Pas një sezoni të parë jo dhe aq rezultativ sa ç’kishte dëshiruar, por mjaft të dobishëm në përfitimin e përvojës së të luajturit në kampionatin e një vendi si Finlanda, volejbollisti shqiptar, Ildi Deliu është zhvendosur këtë sezon në Hungari. Ai ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare me skuadrën e Keshkemetit, qytetit të shtatë më të madh dhe që ndodhet në pjesën qendrore të Hungarisë.
Dhe aventura e shqiptarit në parketin hungarez ka nisur e mbarë, pasi skuadra e tij i ka fituar të 3 takimet e para të këtij sezoni në nivelit më të lartë të kampionatit të volejbollit të meshkujve atje. Në Hungari, kampionati i volejbollit, i njohur shkurt si “NB I”, është ndarë në dy grupe, me nga 6 skuadra secila, të cilat përballen me vajtje-ardhje në dy faza.
Dhe 3 të parat vijojnë më tej garën në një grup tjetër të vetëm me 6 skuadra, për të shkuar në fund në “play-off”-in final për titull. Dhe skuadra e ish-volejbollistit të Farka Volejit në kampionatin shqiptar dhe Vanta’a Daks në Finlandë, aktualisht kryeson njërin nga dy grupet, atë B të kampionatit hungarez. Ekipi i pasuesit të Kombëtares kuqezi mban vendin e parë të renditjes me pikë të plota, 9.
Skuadra e Keshkemetit ndërsa nuk ka lëshuar asnjë set në këto 3 sfidat e para. Duhet theksuar se në këto 3 ndeshje, 23-vjeçari Deliu ka qenë titullar i padiskutueshëm, duke dhënë gjithashtu një sinjal mjaft të mirë për Kombëtaren kuqezi të rrjetës së meshkujve në takimet e mbetura të Eliminatoreve të Evropianit.