AlbanianSport.com 24/10/2018 16:20
ASNN – Ylber Sefa triumfon në Kupën “Shaban Shala” e mbyll garën 5 minuta para të tjerëve. Në Prizren u zhvillua kupa “Shaban Shala” në çiklizëm, e cila mblodhi 60 çiklistë nga Kosova, Maqedonia dhe nga Shqipëria. Në fakt, nga Shqipëria mori pjesë ekipi i veteranëve.
Madje ishte pikërisht ekipi shqiptar i veteranëve që mori shumicën e medaljeve si individuale dhe ekipore.Por për t’u shënuar ishte pjesëmarrja në këtë veprimtari e çiklistit elitar Ylber Sefa, i cili e fitoi garën me 5 minuta para të tjerëve, duke mos e vënë në diskutim triumfin.
Natyrisht, Sefa është i përgatitur për gara më të forta dhe shtë në gjendje të konkurrojë dhe në Europë, kështu që në një garë të tillë ai nuk kishte konkurrencë. Sigurisht, organizimi i kësaj veprimtarie, si dhe pjesëmarrja e çiklistëve nga Shqipëria jo vetëm rriti pjesëmarrjen, por i dha garës një ngjyrë rivaliteti të fortë dhe emocione, dëshmuar dhe me suksese të rëndësishme që korrën çiklistët veteranë shqiptarë.
Edhe një herë tjetër, sporti i dyrrotakëve ia doli të tërheqë vëmendjen, qoftë dhe me sukses pak a shumë të brendshëm, pasi, shumica e pjesëmarrësve ishin shqiptarë, ndërsa duhet theksuar se në kategorinë e femrave spikati çiklistja Rudina Baku, e cila mori vendin e parë.