AlbanianSport.com 21/10/2018 21:15
ASNN – Shkëndija fiton derbin e Maqedonisë, “leksione” Vardarit dhe racistëve sllavo-maqedonë. Izair Emini në fund të pjesës së parë dhe Besar Ibraimi në fund të pjesës së dytë, ishin autorët e golave në fitoren 0-2 ndaj Vardarit të Shkupit, në stadiumin “Boris Trajkovski” në kuadër të javës së 10-të të kampionatit në Maqedoni.
Ishte një fitore e madhe për Shkëndijën, pasi kishte mbetur prapa me pikë dhe një tjetër humbje mund ta nxirrte krejtësisht nga gara për titull. Por si “kampione” në fuqi e vendit fqinj, iu desh të tregonte cilësitë e saj në një ndeshje ku koret raciste sllavo-maqedone dhe trysnia e ushtruar nga vendasit e Vardarit ishte e pashoqe.
Por “leksioni” që u dha Shkëndija lojtarëve të Vardarit dhe tifozëve racistë të tij ishte po ashtu e pashoqe, pasi fitoi një ndeshje me shumë peshë dhe tani është vetëm katër pikë larg Vardarit (23 pikë kanë kryesuesit e Vardarit, 19 pikë Shkëndija). Si asnjëherë tjetër, kryendeshja e kësaj jave në Maqedoni u ndërpre për disa minuta.
Kjo për shkak të sjelljes jokorrekte e raciste e tifozerisë vendase, një sjellje që kulmoi pas golit të Eminit në fundin e pjesës së parë, ku Vardari pretendonte se topi nuk e kishte kaluar vijën fatale. Por në fund Shkëndija shënoi edhe golin e dytë me Ibraimin, duke ua mbyllur përfundimisht gojën racistëve të tërbuar sllavo-maqedonë.