AlbanianSport.com 21/10/2018 18:35
ASNN – Të shtunën në mbrëmje Barcelona priti në “Kamp Nou” Seviljen, duke e mundur me shifrat 4-2 dhe duke marrë kreun e renditjes në Ligës Spanjolle. Por edhe pse skuadra fitoi bindshëm dhe mori kreun e klasifikimit, askush nuk u gëzua. Ylli i skuadrës, Lionel Mesi, u dëmtua në krah dhe u detyrua të lërë fushën në minutën e 26-të, pasi kishte shënuar një gol dhe kishte dhënë një pasim të përsosur për golin tjetër.
Dëmtimi erdhi nga një përplasje që ai pati në fushë me një lojtar kundërshtar. Mesin e zëvendësoi Dembele, teksa Barcelona e administroi mirë takimin deri në fund, duke fituar dhe u ngjitur në kuotën e 18 pikëve, një pikë më shumë se surpriza e këtij sezoni, Deportivo Alavesh, si dhe dy pikë më shumë se Sevilja e vendit të tretë. Megjithatë, më vonë ka ardhur edhe lajmi i keq nga infermieria.
Fitorja me Seviljen ka rezultuar mjaft e hidhur për Barcelonën, pasi asaj iu dëmtua futbollisti kryesor, ylli i grupit, Lionel Mesi. Argjentinasi u dëmtua në krahun e djathtë dhe bëhet fjalë për një dëmtim serioz. Sipas mediave spanjolle flitet për një dëmtim të rëndë, që do ta mbajë Mesin të paktën disa javë larg fushave.
Madje argjentinasi do të humbasë jo vetëm ndeshjen në Ligën e Kampioneve me Interin, por edhe duelin “El Clasico” kundër Realit të Madridit, një nga duelet më të rëndësishme të futbollit jo vetëm në Spanjë por në të gjithë botën. Lojtari ka bërë ekzaminime të mëtejshme dhe bëhet fjalë për një frakturë të krahut, prandaj Mesi nuk do të mund të luajë në fushë për disa javë.