AlbanianSport.com 20/10/2018 22:05
ASNN – Fitorja e thellë e Teutës 3-0 ndaj Laçit nuk ishte surpriza e vetme gjatë ditës së sotme. Edhe Kukësi me Kastriotin dhuruan një duel të fortë dhe emocionues në Stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës. Ishte një ndeshje me dy fytyra për Kukësin, madje një nga ndeshjet ku skuadra vuajti mjaft në fushën e lojës, sepse krutanët i shpenzuan të gjitha energjitë e tyre për të marrë një rezultat pozitiv. Dhe ishin shumë pranë një fitoreje, por të pafat.
Vendasit shënuan të parët me Roxherit në minutën e 21-të, i cili i dha gëzim stafit teknik të Kastriotit dhe ngjalli besim tek fitorja. Madje krutanët patën disa raste të mira shënimi e më pas humbën me Roxherin një 11-metërsh në pjesën e dytë, duke mos përfituar maksimalisht nga situata që shoqëroi ndeshjen. Atë që nuk e bën Kastrioti, i cili ishte pranë golit të dytë që do ta kishte shpartalluar Kukësin, e bën ekipi verilindor me përvojën e tij.
Në pjesën e dytë Kukësi përmbys gjithçka, ku fillimisht mbrojtësi Shameti barazon shifrat e në fund të ndeshjes është Uilliam që shënon golin e fitores për verilindorët, duke qetësuar trajnerin Armando Cungu që deri në ato momente ishte si “mbi gjemba”.
Krutanët dalin sërish të humbur nga fusha, këtë herë në mënyrë të pamerituar, ndërsa -pikëshi shkon për Kukësin që tani ngjitet në 16 pikë dhe kërcënon kryesuesit e garës, pra Partizanin e Skënderbeun.
Sa i takon Kastriotit, ai mbetet në vend të fundit me 4 pikë. Humbja e krutanëve u shoqërua në fund edhe me dorëheqjen e trajnerit Elvis Plori. Shkodrani deklaroi drejtpërdrejt në intervistat me gazetarët pas humbjes, se skuadra në fund të kësaj faze të parë ka nevojë për ndryshim në stol dhe duhej një trajner tjetër që të sillte ndryshimin e shpresuar e të merituar për një grup që po përpiqet të luajë me dinjitet në Kategorinë Superiore.