AlbanianSport.com 20/10/2018 10:25
ASNN – Kanë dhuruar të papritura provat e lira të Çmimit të Madh të Madh të Japonisë të shtunën, pasi nga vija e parë do të nisen Doviciozo, Zarkò dhe Miller. Kampioni në fuqi, Mark Markez, do të niset nga vendi i 6-të. Sikundër provat zyrtare, edhe gara e së dielës do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 07:00.
Andrea Doviciozo dominoi në provat zyrtare të shtunën, ndërsa kampioni në fuqi dhe kryesuesi i renditjes, Mark Markez nuk shkoi dot më larg sesa vendi i 6-të. E papritura e garës ishte padyshim plotësimi i vijës së parë të nisjes nga Johan Zarko dhe Xhek Milleri. Në fakt, italiani i “Dukati”-t e fitoi vendin e parë të nisjes në garën e së dielës pas një seance të dytë fantastike të provave zyrtare në pistën e Motegit, duke regjistruar kohën 1 minutë, 44 sekonda e 590 të mijëtat.
Kjo kohë i mjaftoi atij të sigurojë, për të 3-ën herë në Moto GP, nisjen nga vendi i parë në këtë pistë. Doviciozo la prapa me 68 të mijëtat Johann Zarkon e “Jamaha”-s kliente, ndërsa Xhek Milleri i “Pramakut” bëri një xhiro të jashtëzakonshme, duke siguruar vendin e tretë në vijën e parë të nisjes. Kurse Mark Markezi me “Repsol Hondën” e tij u detyrua të kënaqej me vendin e 6-të dhe të fundit të rreshtit të dytë të nisjes, duke e vendosur veten në një pozicion të rrezikshëm në xhirot e para.
Kjo ia vështirëson edhe më tepër atij misionin për ta mbyllur që të dielën çështjen e titullit të 7-të në Kampionatin Botëror të Motoçiklizmit (dhe të 5-tin në Moto GP), ku i duhet të lërë prapa Doviciozon. Dhjetëshen e të parëve do ta plotësojnë Kal Kraçlou, Andrea Janone, Maverik Vinjales, Aleks Rins, Valentino Rosi dhe Alvaro Bautista.