AlbanianSport.com 21.11.2014 20:35
Kjo është një histori nga më të veçantat për një futbollist. Elseid Hysaj ka mbërritur sot majat e karrierës, por gjithçka nisi nga një gomone. Shkodrani kapërceu Adriatikun vite më parë, bashkë me babain e tij, duke realizuar shpejt një ndryshim të madh.
Mediat italiane i kanë kushtuar vëmendje kësaj historie, në kohën që kombëtarja shqiptare luajti pikërisht ndaj Italisë në Xhenova. Në moshën 15-vjeçare, Hysaj, u regjistrua në ekipet e moshave të Empolit dhe shumë shpejt mbërriti tek skuadra e parë.
Në moshën 19-vjeçare erdhi debutimi për ekipin përfaqësues, në ndeshjen në Norvegji, vitin e kaluar, fituar 1-0. Sot ende nuk ka mbushur 21 vjeç dhe ka arritur shkallën më të lartë të karrierës si futbollist shqiptar.
Po ashtu, një nga nivelet më të larta të një lojtari, pasi është pjesë e Serisë A. Lacio e kërkoi sezonin e kaluar dhe besohet se shpejt ai do të gjejë një skuadër të madhe, për të bërë hapin e radhës.