AlbanianSport.com 19/10/2018 07:00
ASNN – Janë të shumtë klubet e futbollit në Shqipëri që kanë nxjerrë talente, kanë përfituar prej tyre. Njëri prej klubeve që ka tërhequr vëmendjen ditët e fundit është edhe klubi privat KF Shkodra, që kërkon që të marrë 2% të shumës së transferimit si klubi mëmë për Sindrit Gurin, por edhe për Elseid Hysajn, Rubin Hebajn dhe Armando Vajushin.
Edhe pse jo mbi baza të rregullta dhe në një sasi të kufizuar, klubet shqiptare të futbollit kanë nxjerrë dhe po nxjerrin talente që, pasi kanë shkëlqyer fillimisht në kampionatin kombëtar, kanë vijuar ta provojnë me sukses fatin edhe në klube të ndryshme anembanë kontinentit të vjetër. Por kjo nuk ka nënkuptuar se klubet që i kanë nxjerrë këto talente, kanë përfituar prej tyre.
Njëri prej klubeve që ka tërhequr vëmendjen ditët e fundit është edhe klubi privat KF Shkodra, që kërkon që të marrë 2% të shumës së transferimit si klubi mëmë për Sindrit Gurin, fillimisht nga Kukësi e më pas nga Ostende në Belgjikë. Të njëjtën gjë ky klub e kërkon së fundi edhe për Elseid Hysajn, të cilin e kanë pasur lojtar të tyre në moshë fare të njomë për 8 vjet me radhë.
Referuar deklarimeve që kanë bërë zyrtarët e klubit shkodran, po përgatitet një dosje që do t’i shkojë FSHF-së dhe tre klubeve italiane për të sqaruar situatën e lojtarit, sepse klubi mëmë, pra KF Shkodra, nuk ka përfituar ende asnjë kacidhe nga transferimi i futbollistit. Tre klubet italiane që kanë pasur kontakt me Hysajn janë Fiorentina, Empoli dhe Napoli.
Në fillim Hysaj ka shkuar te Fiorentina dhe ka qëndruar një vit, por nuk ka firmosur kontratë. Më pas ka kaluar te Empoli ku ka qëndruar disa vite, për t’u zhvendosur tek Napoli, aty ku është edhe aktualisht. Situata duket e ndërlikuar, pasi etapat janë djegur dhe klubi nuk mund të fitojë nga UEFA dhe FIFA që rregulloret i kanë të qarta, por klubi i Shkodrës ka deklaruar se do ta ndjekë çështjen me padi në gjykatat italiane.
Madje klubi në fjalë ka deklaruar se nuk është vetëm Hysaj, por edhe lojtarë të tjerë si Guri, Hebaj dhe Vajushi që kanë dalë nga klubi i KF Shkodrës, i cili t’u kërkojë klubeve ku luajnë të paguajnë faturën e solidaritetit. Ironik është fakti se ndërkohë që një klub i vogël si KF Shkodra kërkon të përfitojë me të drejtë nga investimi i vet, një klub i madh si Vllaznia, që ka prodhuar dhe prodhon talente, vazhdon t’i “falë” talentet e saj, duke mos përfituar asgjë nga transferime madje edhe të bujshme.