AlbanianSport.com 18/10/2018 15:15
ASNN – Kampionati Kombëtar i Basketbollit nisi me surpriza të mëdha këtë edicion, si tek meshkujt dhe tek femrat. Ndërkohë, skuadrat po përgatiten për duelet e javës së tretë, e cila nis të premten me dy ndeshje tek femrat e një tek meshkujt. Në Superligën e meshkujve, pritet nesër një duel mjaft interesant në Shkodër, ku në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, Vllaznia e vendit të fundit do të presë Kamzën e vendit të parafundit.
Është një duel që mund të konsiderohet edhe si derbi i fundtabelës, për shkak të nevojës urgjente që kanë ekipet për të marrë pikë. Në dy javët e para, si Kamza, ashtu dhe Vllaznia kanë humbur, kështu që ky është momenti ideal për të bërë kthesë. Dueli mes Vllaznisë e Kamzës do të luhet në orën 17:00. Po për meshkuj, të shtunën në orën 19:00 do të luhen dy takime të rëndësishme, që të dyja derbi.
Në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit Teuta do të presë Goga Basket, kurse në Tiranë, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, do të luhet derbi i kryeqytetit midis Tiranës dhe Partizanit. Ndërkohë, edhe në Kategorinë e Parë të femrave do të luhen nesër dy ndeshje, që të dyja në orën 15:00. SH.K.B.F. Tirana do të presë Vllazninë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.
Kurse SH.B.F. Tirana do të presë Elbasanin në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”, po në kryeqytet. Të shtunën do të luhet ndeshja tjetër e javës së 3-të të Kampionatit të femrave, ku në orën 11:00, Flamurtari do të presë në Vlorë Studentin. Sa i përket renditjes, në prag të javës së tretë, tek femrat kampionatin e udhëheqin SH.K.B.F. Tirana dhe Vllaznia, me nga katër 4 secila, kurse tek meshkujt udhëheqin Goga Basket e Partizani me 4 pikë