AlbanianSport.com 18/10/2018 07:55
ASNN – Nëse në Shqipëri basketbolli nuk e ka arritur ende një nivel të kënaqshëm për ballafaqimet ndërkombëtare, në Kosovë ky sport argëton dhe përballet me dinjitet edhe në aktivitetet e rëndësishme evropiane. Këtë e vërtetoi më së miri Klubi i Basketbollit të Prishtinës, i cili luajti mbrëmë ndeshjen e parë në Kupën e Europës (FIBA Europe Cup). Prishtina fitoi bindshëm 92-82 takimin me ukrainasit e Çerkaski Mavpi, një takim i luajtur në Pallatin e Sportit dhe të Rinisë në kryeqytetin e Kosovës.
Një fitore me 10 pikë diferencë tregon qartë seriozitetin dhe njëherësh epërsinë e skuadrës kosovare. Në këtë takim shkëlqeu si rrallëherë Dardan Berisha, i cili shënoi 26 pikë. Ndërkohë, për miqtë ukrainas më efikasi ishte Brandon Jang, me 21 pikë. Basketbollistët e skuadrës të kryeqytetit të Kosovës nuk e vunë për asnjë moment në diskutim fitoren dhe falë eksperiencës që kanë krijuar vitet e fundit, ia dolën ta menaxhojnë si duhet ndeshjen dhe ta fitojnë atë.
Prishtina e ka nisur mirë aventurën e re të këtij edicioni në “FIBA Europe Cup”. Theksojmë se Prishtina luan në grupin E të kësaj veprimtarie, së bashku me Baken Birs (Danimarkë), Çerkaski Mavpi (Ukrainë) dhe Steaua e Bukureshtit (Rumani). Ambiciet e skuadrës kosovare janë të sigurojë vendin e parë në këtë grup, për të pretenduar kalimin e mëtejshëm. Ndeshja tjetër e këtij grupi, ajo midis Bakken Bears dhe Steauas së Bukureshtit u fitua nga danezët me shifrat e thella 100-64.