AlbanianSport.com 17/10/2018 18:00
ASNN – Ajo është vetëm 15 vjeç, por ka spikatur me talentin e saj në parketin e volejbollit amerikan të shkollave, ndërsa është projektuar si një kandidate potenciale për të veshur fanellën e Kombëtares kuqezi. Adelina Berisha është volejbollistja shqiptaro-amerikane e cila është përzgjedhur ditët e fundit si lojtarja më e mirë, në një anketë mbi volejbollin amerikan të shkollave në Nju Xhërsi. Ajo ka marrë 16.89 % të votave, ose thënë ndryshe 25,222 vota në këtë anketim.
Duhet theksuar se Adelina, e cila shenjohet me rrethin blu në këto pamje, teksa luan me numrin 12, i ka të dy prindërit shqiptarë, por me nënshtetësi amerikane. Ajo ishte e pranishme në përgatitjet e Kombëtares kuqezi të Nën-19-vjeçareve, që mori pjesë në fazën finale të Evropianit të kësaj grupmoshe, që u zhvillua në 10-ditëshin e parë të shtatorit të Tiranë dhe në Durrës.
Por procedurat burokratike, që kërkonin fillimisht dhënien e nënshtetësisë shqiptare babait të saj, Isa Berishës, e më pas Adelinës, duke qenë se është e mitur, nuk arritën të kryheshin në kohë dhe ajo nuk arriti të veshë fanellën kuqezi në këtë Evropian, ku padyshim do t’i kishte bërë shumë punë Shqipërisë së udhëhequr nga trajneri Roland Tarja.
Megjithatë, ajo e ka shprehur dëshirën e saj për të përfaqësuar Shqipërinë në vazhdim dhe ofron një alternativë të mirë në pozicionin e shuteres së jashtme, apo thënë ndryshe në pozicionin numër 4, aty ku Kombëtarja kuqezi ka vuajtur që nga tërheqja e motrave Prenga, Amarildës dhe Arjolës, nga ekipi përfaqësues.