AlbanianSport.com 17/10/2018 13:25
ASNN – Klauzolat e lojtarëve të Barçës kapin shumën e 6 miliard Eurove, ndërsa 11% të shumës e ka vetëm Mesi. Barcelona kushton 6 miliard Euro. Ky është konstatimi i mediave spanjolle pas publikimit të klauzolave të lirimit të lojtarëve “blaugrana”. Nëse ndonjë i çmendur do të dilte në këtë moment të blinte gjithë skuadrën e Barcelonës, atëherë shifra që duhet të paguante kap 6 miliardë Euro.
Dhe kjo falë vendimit që mori klubi për të rritur vlerën e klauzolës së lirimit pas veprimit të brazilianit Nejmar një vit më parë, i cili kaloi tek Paris SG-ja për shumën e 222 milionë Eurove. Ka qenë pikërisht kalimi i Nejmar dhe milionat që derdhi gjigandja pariziene, që e bindën Barçën të rriste vlerën e klauzolës së lojtarëve, si një pengesë për të mos pasur rrjedhje drejt klubeve të sheikëve arabë të naftës.
Dhe ajo që ka rëndësi, lojtarit kryesor të skuadrës, Leo Mesit, i vuri klauzolë prej 700 milionë Eurosh, një shumë e padëgjuar më parë për ndonjë futbollist. Madje klauzola e Mesit kushton 11% të shumës totale të klauzolave. Duhet thënë se pas Mesit vijnë klauzolat e Pikes, Serxhi Robertos dhe Umtitisë, me 500 milionë euro. E fill pas tyre francezi Dembele, me 400 milionë euro.
Në listën e mëposhtme jepet vlera e klauzolës për secilin futbollist të Barcelonës, ku padyshim Mesi qëndron mbi të tjerët, ndërsa lojtari me vlerën më të vogël të lirimit është Denis Suarez, me 50 milionë euro. Kushdo që i sheh këto shifra, bindet që lojtarët e Barcelonës janë të pashitshëm dhe këto vlera tregojnë se klubi katalan nuk dëshiron t’i ikin futbollistët.
Vlerat e klauzolave të lirimit të lojtarëve
të Barcelonës (në miliona Euro):
D. Suarez 50
Samper 50
Munir 60
Killesen 60
Rafinja 75
Alena 75
Vermaelen 80
Semedo 100
Rakitic 125
Zh. Alba 150
Malkolm 180
Ter Shtegen 180
L. Suarez 200
Lenglet 300
Vidal 300
Kutinjo 400
Arthur 400
Dembele 400
Buskets 500
S. Roberto 500
Umtiti 500
Pike 500
Mesi 700