AlbanianSport.com 17/10/2018 12:30
ASNN – Vetëm 25 vjeç, Mark Markezi duket në rrugë të mbarë për ta thyer rekordin e Valentino Rosit që ka fituar 89 gara në Moto GP, si dhe 7 tituj kampion në këtë nivel. Por veterani italian këmbëngul se nuk ka ndonjë mëri ndaj Markezit, me të cilin ka patur një marrëdhënie të vështirë gjatë karrierës në Moto GP, pse spanjolli po rrezikon t’i thyejë rekordet e tij.
Valentino Rosi e ka pranuar se rekordet e tij në Moto GP janë në rrezik nëse Mark Markezi vazhdon të mbajë formën që ka. Fitorja e 7-të në 2018-ën për pilotin e “Hondës” në Tajlandë, ishte e 42-ta e Mark Markezit që nga 2013-ta, kur debutoi në nivelin më të lartë të Botërorit të Motoçiklizmit, që njihet si Moto GP in. Kjo formë ka bërë që ai të shkojë i qetë drejt një titulli të 5-të të kampionit të botës në këtë nivel.
Ai kryeson i shkëputur me 77 pikë nga ndjekësi më i afërt, Andrea Doviciozo, kur kanë mbetur edhe 4 gara, por mund ta vulosë titullin që këtë javë në Motegi. Vetëm 25 vjeç, Markezi duket në rrugë të mbarë për ta thyer rekordin e Rosit që ka fituar 89 gara në Moto GP, si dhe 7 tituj kampion në këtë nivel (që renditet vetëm pas 8 titujve të fituar nga Xhakomo Agostini në kategorinë e vjetër të 500cc).
Por veterani italian këmbëngul se nuk ka ndonjë mëri ndaj Markezit, me të cilin ka patur një marrëdhënie të vështirë gjatë karrierës në Moto GP, pse spanjolli po rrezikon t’i thyejë rekordet e tij. “Markezi mund t’i thyejë rekordet e mia dhe kjo nuk më mërzit, – tha Rosi, duke folur nga Londra. – Njeriu duhet të mendojë për karrierën e vet dhe unë mendoj se e imja është e mirë.”
“Kam fituar shumë gara e mund të kisha fituar edhe më tepër kampionate, – ka vijuar veterani itali. Pengu im më i madh është humbja e kampionatit në Valencia në 2006-ën, kur bëra një gabim.” Edhe 5 herë kampioni i botës në kategorinë e 500cc, Mik Duhan, i cili renditet i 3-ti me 54 fitoret e tij në nivelin më të lartë, ka theksuar se Markezi i ka të gjitha mundësitë t’i thyejë rekordet e Rosit, duke patur parasysh moshën e tij të re.