AlbanianSport.com 17/10/2018 08:50
ASNN – Niko Rosbergu ka folur për kalimin e Sharl Lëklërk tek “Ferrari”, por edhe për ardhjen e disa debutantëve të tjerë në Formula 1. “Më bëhet qejfi, – ka thënë ai. – Do të jetë interesante të shikojmë si do ta konsiderojë “Ferrari” dhe si do të reagojë Feteli me mbërritjen e Lëklërkut. Sepse ai do të garojë fort menjëherë, pasi është shumë ndryshe nga Kimi Raikonen.”
“Lando Norris e Xhorxh Rasell janë fenomene, – ka vijuar ish-piloti gjerman. – Kemi të bëjmë me një supergjeneratë që do ta kënaqë në gara. Lëklërku, Verstapeni, ky i fundit ka tashmë më shumë përvojë se të tjerët, por vazhdon të mbetet shumë i ri.” Më tej, Rosbergu ka theksuar edhe njëherë se nuk i mungon aspak Formula 1. “Jo jo nuk më mungon fare”, – ka këmbëngulur ai.
“Siç kam thënë gjithnjë, jam shumë i kënaqur që e mbylla si “kampion”, – ka vijuar Rosbergu. – Vazhdoj ta ndjek me kënaqësi dhe e shikoj tërheqëse. Ndërsa Feteli dhe “Ferrari”, kanë rënë në grackën midis gabimeve dhe fitoreve. Më vjen keq sepse kishin një makinë që mund të bënin mirë”. Dhe, në fund kampioni i botës zbuloi edhe një sekret: “”Ferrari” më kërkoi, por përpara se të fitoja kampionatin botëror”.