AlbanianSport.com 15/10/2018 22:35
ASNN – Nëse Partizani është skuadra kryesuese e këtij kampionati, Skënderbeu kampion në fuqi ekipi që shënon më shumë, Kukësi një nga pretendentët për titullin etj, të gjitha këto skuadra kanë një të përbashkët: kanë pësuar humbje, të paktën një. Por ka një surprizë në Superiore që e ka emrin Laçi, skuadër që në 8 javët e para të garës nuk e njeh humbjen dhe mban hëpërhë vendin e 3-të, me 16 pikë, ekipi i vetëm që nuk ka mundur ta gjunjëzojnë të mëdhatë.
Laçin e drejton trajneriArtan Merxhushi dhe këtë sezon po vijon të jetë po ajo skuadër që në vitet e fundit ia ka dalë të shfrytëzojë maksimalisht kapacitetet e saj duke marrë pjesë në Ligën e Evropës. Laçit iu largua sulmuesi Myrto Uzuni në merkaton e verës dhe të gjithë besuan se ky grup do të çalonte në vijim, por nuk ndodhi kështu, skuadra kurbinase vijon të jetë pragmatiste në lojë e rezultate, duke qenë surpriza e madhe e këtij edicioni dhe nëse ka një “Hirushe” këtë sezon ajo është padyshim skuadra e Laçit.
Kurbinasit kanë zhvilluar 8 ndeshje ku kanë arritur 4 fitore e po aq barazime, duke pasur një golavarazh 8-4. Edhe pse nuk shënojnë shumë, duhet pranuar se Laçi, është skuadra e dytë që ka mbrojtjen më të mirë, pas Partizanit kryesues dhe njëlloj si Skënderbeu i vendit të dytë. Kurbinasit shënojnë pak, por edhe pësojnë pak. Janë efikasë në veprime dhe kjo i bën ata një skuadër e rrezikshme kur është fjala për të marrë pikë.
E gjendur në këto pozita, skuadra e Laçit po merret seriozisht nga kundërshtarët. Ka prej tyre që e cilësojnë Lacin “macja e zezë” e Superiores, pasi të gjithë dalin më “hundë të thyer” nga fusha e Kurbinit. Kush ka guxuar ta cilësojë të dobët, Laçi u është bërë “xhandar”. Të gjithë ata që pretendojnë titullin e kanë kuptuar se objektivat e sezonit do të përmbushen vetëm nëse mundin ekipin kurbinas, gjë që deri tani nuk ia kanë dalë.
Sa i përket klubit, mund të thuhet pa frikë se Laçi ka menaxhuar maksimalisht potencialin e tij dhe për këtë i jep të drejtë pozicioni, loja dhe rezultatet e arritura. Në tetë javë garë ka 100% rezultate pozitive, nga të cilat 50% janë fitore të pastra dhe më shumë se cdo gjë tjetër kjo tregon qëndrueshmëri.