AlbanianSport.com 15/10/2018 13:25
ASNN – Megjithë admirimin që trajneri Xhenaro Gatuzo ka për Hakan Çalhanollunë, futbollisti turk mund të largohet nga Milano përpara se t’i përfundojë kontrata në 2021-shin. Duket se RB Lajpcigu kërkon ta risjellë talentin 24-vjeçar në Gjermani, duke i ofruar një rol protagonisti absolut në skuadër.
Çalhanolluja ka patur një rendiment të karakterizuar me ulje-ngritje, që kur ka veshur bluzën kuqezi, por përtej kësaj klubi dhe tifozët nuk ia kanë kursyer mbështetjen. Futbollisti turk, nga ana e tij, thotë se ndihet mirë te Milani. “Kur erdhi Gatuzo fillova të luaj mirë”, – thotë ai.
“Ai dhe Xhixhi Riçio flasin shumë me mua dhe unë km nevojë për këtë, – ka vijuar futbollisti. – Në fushë kam nevojë të di se çfarë bëj mirë dhe çfarë duhet të bëj më mirë. Më pëlqen trajneri, nganjëherë është tepër i ashpër por kjo është ajo që i duhet skuadrës sonë, sepse jemi një skuadër e fortë.”
Megjithëse situata duket e qartë dhe aspak kritike, Lajpcigu kërkon të bëjë një provë për ta bindur ish-futbollistin e Bayer Leverkusen të rikthehet në Gjermani.