AlbanianSport.com 15/10/2018 09:45
ASNN – Kanë qenë 3 sportistë shqiptarë që kanë konkurruar së fundmi në Lojërat Olimpike Rinore, që po mbahen në Argjentinë. Boksierja Elsidita Selaj e ka mbyllur që në duelin e parë, atë çerekfinal, aventurën e saj. Ndërsa pas Selajt është ngjitur në ring boksieri tjetër, Muhamet Qamili, i cili është përballur me argjentinasin Mirko Jahiel Kuejo.
Kjo ndeshje, e vlefshme për kategorinë e peshës trupore 56 kg, ka qenë e luftuar nga fillimi deri në fund dhe, me pikë ka fituar amerikanolatini, 3-2. Duhet theksuar se dy nga gjyqtarët e kanë takimin 29-28 në favor të shqiptari, dy të tjerë me të njëjta shifra në favor të argjentinasit dhe diferencën e ka bërë gjyqtari i 5-të, që e ka dhënë 30-27 në favor të Kuejos, duke e çuar vendasin direkt në gjysmëfinale.
Megjithatë, boksieri shqiptar ka edhe një shans tjetër, pasi për vetë formulën e garës, ku konkurrojnë 6 sportistë, do të përballet në një duel tjetër me uzbekun Abdumalik Khalokov, për të siguruar vendin në gjysmëfinalen e 16 tetorit. Ndërkohë, sportistja 18-vjeçare ka garuar në kategorinë e peshës së mesme (69-75 kg), aty ku kanë garuar 7 sportiste.
Me pak fat, ajo mund të kishte shkuar drejt e në gjysmëfinale, pasi njëra prej tyre është favorizuar nga shorti. Nuk ka ndodhur kështu me nënkampionen e Evropës për Nën-18-vjeçaret, e cila është përballur me francezen Talja Brilò, me të cilën është mundur me vendim me pikë , me rezultatin 5-0. Në fakt, boksierja franceze ka dominuar, duke marrë pikët maksimale, 30-27, nga 4 gjyqtarë.
Ndërsa i 5-ti e ka dhënë 29-28, po në favor të Brilòsë, duke vulosur kështu humbjen e boksieres shqiptare. Selaj ka arritur sidoqoftë të renditet e 5-ta midis 7 konkurrenteve të kësaj peshe.